Veprimtari i shquar shqiptar, Hektor Beqiri, ka zhvilluar një takim me bashkatdhetarë në Düsseldorf, ku është shprehur mbështetje për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.
Beqiri ka bërë të ditur se në këtë aktivitet, të zhvilluar në prag të ndeshjes së klubit FC Kosova e Düsseldorfit, ka takuar shumë të rinj, burra dhe gra, të cilët, sipas tij, kishin ardhur për të shprehur solidaritetin, respektin dhe mirënjohjen ndaj krerëve të UÇK-së.
“Ishte kënaqësi dhe emocion i veçantë të shihje kaq shumë bashkatdhetarë të mbledhur në Düsseldorf, të bashkuar në një zë dhe me një qëndrim të qartë: mbështetje për çlirimtarët e Kosovës dhe për heronjtë tanë të luftës dhe paqes në Hagë”, ka shkruar Beqiri.
Ai ka vlerësuar mobilizimin e mërgatës shqiptare në kuadër të iniciativës “Kosova po pret”, duke theksuar se aktivitetet po shtrihen në qytete të ndryshme të Evropës.
Sipas Beqirit, afrimi i 16 shtatorit po shoqërohet me një masivizim gjithnjë e më të madh të kësaj nisme.
“Kur shqiptarët janë të bashkuar rreth një qëllimi, zëri i tyre bëhet i fuqishëm dhe i pamohueshëm”, ka theksuar ai.
Në postimin e tij, Beqiri ka bërë thirrje për vazhdimin e aktiviteteve të “Orës së Pritjes”, duke nënvizuar se mërgata shqiptare po dëshmon, sipas tij, se nuk i harron ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
“Kosova po pret. Liria ka Emër. Bashkimi ynë vazhdon”, është mesazhi i tij.
Beqiri ka theksuar gjithashtu se aktiviteti në kuadër të platformës “Liria ka Emër” do të vijojë në qytete të ndryshme të Evropës, me synimin për të mbajtur të gjallë solidaritetin dhe mbështetjen e mërgatës ndaj krerëve të UÇK-së.







