Në prag të datës 16 shtator, kur pritet një vendim i rëndësishëm lidhur me procesin në Hagë ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Prishtinë nesër do të mbahet marshi i madh në mbështetje të çlirimtarëve të UÇK-së.

Marshi do të zhvillohet në ora 14:00, në Sheshin “Skënderbeu”, ndërsa thirrja për pjesëmarrje është bërë nga atdhetari Hektor Beqiri, i cili prej kohësh është angazhuar në organizimin dhe mobilizimin e mërgatës shqiptare në vende të ndryshme të Evropës.

Në një postim, Beqiri u është drejtuar shqiptarëve me thirrjen për t’u bashkuar në këtë aktivitet, duke e cilësuar atë si një moment solidariteti me ish-krerët e UÇK-së, të cilët prej gjashtë vitesh ndodhen përballë procesit gjyqësor në Hagë.

“Nesër, zëri i qytetarëve do të dëgjohet nga Prishtina në Hagë dhe përtej saj”, ka shkruar Beqiri, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës për luftën, sakrificën dhe kontributin e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës.

Ai ka bërë thirrje që në tubim të marrin pjesë qytetarë të të gjitha moshave, ndërsa mesazhi i tij përmbyllet me thirrjen: “Për Kosovën. Për UÇK-në. Për çlirimtarët. Për dinjitetin dhe kujtesën tonë kombëtare.”

Aktivitetet e paralajmëruara në Prishtinë lidhen me mobilizimin më të gjerë të shqiptarëve në Kosovë dhe në diasporë, në prag të 16 shtatorit.

Marshi mbahet nesër, në ora 14:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.