Atdhetari dhe aktivisti i njohur, Hektor Beqiri, ka ndarë një moment të veçantë emocional me ndjekësit e tij, duke treguar se i ka dhuruar uniformën e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vëllait të tij, Besnik Beqiraj, veteran dhe invalid i luftës.

Beqiri e ka përshkruar këtë çast si një nga momentet më të paharrueshme dhe më të thella të jetës së tij, duke theksuar simbolikën dhe rëndësinë e uniformës së UÇK-së për familjen e tij dhe për historinë e popullit shqiptar.

“S’ka fjalë që mund ta përshkruajnë emocionin e asaj dite. Ishte më shumë se dhuratë – ishte rikthim kujtimesh, nderim i sakrificës dhe krenari për rrugën që kemi bërë si familje dhe si popull,” ka shkruar ai.

Sipas Beqirit, uniforma e UÇK-së mbart historinë dhe idealet e brezit që luftoi për liri, ndaj dhurimi i saj për vëllain, një luftëtar që ka mbajtur barrën e luftës në trup e në shpirt, kishte një domethënie të veçantë.

“Nderimi për Besnikun është nderim për të gjitha zemrat e çlirimtarëve,” ka shtuar ai, duke përmendur edhe respektin për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e vendit.

Në postimin e tij, Beqiri ka shprehur edhe qëndrimin e tij lidhur me ish-pjesëtarët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke i quajtur “çlirimtarë që po mbahen padrejtësisht”.

Postimi i plotë:

Janë disa momente në jetë që vështirë përshkruhen me fjalë, sepse emocionet që kemi janë shumë më të thella se çdo shprehje. Një prej atyre momenteve është ky kur vëllait tim, Besnik Beqirajt, veteranit dhe invalidit të luftës, ia dhurova uniformën e veteranit të UÇK-së.

Ky çast për mua ishte shumë më tepër se një gjest simbolik – ishte rikthim kujtimesh, nderim i sakrificës dhe krenari e pastër për rrugën që kemi bërë si familje dhe si popull.

Ndjeva një emocion të veçantë, një përzierje nderimi dhe përulësie, sepse uniforma e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbart historinë, gjakun dhe idealet e një brezi që luftoi për liri. Dhe kur ajo uniformë i dhurohet vëllait tënd, e ndien se po i dhuron diçka të shenjtë — diçka që nuk blihet e nuk shlyhet me kohë.

Nderimi për Besnikun është nderim për të gjitha zemrat e çlirimtarëve. Lavdi përjetë atyre që luftuan për këtë tokë! Liri për çlirimtarët që po mbahen padrejtësisht në Hagë. 🇦🇱🇽🇰