Organizimi në mbështetje të çlirimtarëve shqiptarë në Hagë po merr çdo ditë e më shumë përmasat e një aktiviteti mbarëkombëtar. Kështu ka bërë të ditur atdhetari i shquar Hektor Beqiri, i cili ka shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që po kontribuojnë dhe po mbështesin këtë angazhim.

Përmes një postimi, Beqiri ka falënderuar pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë në aktivitetet e organizuara, si dhe të gjithë mbështetësit që, në forma të ndryshme, po i qëndrojnë pranë kësaj nisme.

Një vëmendje të veçantë ai i ka kushtuar edhe rolit të mediave shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri, të cilat, sipas tij, po japin një kontribut të rëndësishëm në sensibilizimin e mërgatës shqiptare për aktivitetet e platformës “Liria Ka Emër”.

Në kuadër të mbulimit medial të këtyre aktiviteteve, Beqiri ka dhënë sot edhe një prononcim për televizionin T7, ku ka paraqitur zhvillimet dhe angazhimet e diasporës shqiptare në vende të ndryshme të Evropës.

“Nga qyteti në qytet, nga njëri aktivitet te tjetri, po dëshmohet se mërgata shqiptare është e bashkuar, e organizuar dhe e vendosur të mbajë gjallë zërin e saj”, ka shkruar Beqiri.

Sipas tij, “Ora e Pritjes” deri më tash është vendosur në 130 qyetete në të gjithë Evropën, derisa prin Gjermania. Aktivitetet në kuadër të iniciativës “Kosova po pret” do të vazhdojnë edhe në Itali, Francë, Çeki, Kroacia dhe shumë vende tjera.

Ai ka falënderuar të gjithë ata që po bëhen pjesë e kësaj përpjekjeje të përbashkët, duke përcjellë mesazhin: “Bashkë, deri në fund.”

Aktivitetet e mërgatës shqiptare në mbështetje të çlirimtarëve në Hagë po zhvillohen në qytete të ndryshme të Evropës, duke dëshmuar përkushtimin e diasporës për të mbajtur të gjallë mbështetjen dhe zërin e saj.