Takimet e shumta të komunitetit shqiptar në Zvicër, në mbështetje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë përmbyllur me nisjen e aktivitetit të njohur si “Ora e Pritjes” në Rinora 4, një prej qendrave të mëdha të shqiptarëve në Evropë.

Përmes një postimi publik, një veprimtar i njohur shqiptar, Hektor Beqiri, ka shprehur mirënjohje për drejtuesit e Rinora 4 dhe për bashkatdhetarët që morën pjesë në këtë organizim, duke theksuar se pjesëmarrja e tyre dëshmon, sipas tij, qëndrueshmërinë e mërgatës shqiptare në përkrahje të çlirimtarëve.

“Mërgata shqiptare nuk harron, nuk lëkundet dhe nuk ndahet nga çlirimtarët e saj”, është shprehur ai, duke vlerësuar pjesëmarrjen e gjerë të bashkatdhetarëve.

Sipas Beqirit, mbështetja e treguar në Zvicër dhe në vendet e tjera ku jetojnë shqiptarët përcjell një mesazh të qartë për qëndrimin e mërgatës ndaj krerëve të UÇK-së.

Veprimtari ka bërë të ditur se aktivitetet dhe mobilizimi i mërgatës do të vijojnë deri më 16 shtator, ndërsa ka shprehur besimin se shqiptarët do të jenë të bashkuar edhe në Hagë, në pritje të zhvillimeve të mëtejshme në proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Pritja vazhdon. Bashkimi vazhdon. Besimi vazhdon”, përfundon mesazhi i tij.