Atdhetari i njohur Hektor Beqiri ka reaguar sot me një mesazh të fortë dhe emocional, duke bërë thirrje për unitet dhe vazhdimësi të zërit qytetar në mbështetje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që gjenden në Hagë. Në postimin e tij, Beqiri thekson se padrejtësia që, sipas tij, po u bëhet të akuzuarve, nuk është shqetësim vetëm i familjeve të tyre, por i gjithë popullit që e njeh sakrificën e luftës për liri.

“Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë me qenë bashkë: në zë, në qëndrim, në drejtësi,” shkruan ai, duke rikujtuar se në tubimin e mbajtur në Strasburg, qytetarët u bashkuan për të përçuar mesazhin se “lirinë e Kosovës nuk e solli krimi, por sakrifica – dhe sakrifica nuk dënohet, nderohet.”

Beqiri, i cili njihet për angazhimin e tij të vazhdueshëm për çështjet kombëtare dhe për mbështetjen që u ka dhënë ndër vite çlirimtarëve në Hagë, shpreh bindjen e tij të plotë në pafajësinë e tyre.

“Besoj se drejtësia, edhe nëse ecë ngadalë, në fund del në dritë. Shpresoj dhe lutem që viti i ardhshëm të jetë viti i lirimit të tyre,” u shpreh ai.

Ai theksoi se qytetarët nuk duhet të lodhen dhe as të ndalojnë së kërkuari drejtësi:
“Protesta e radhës nuk është thjesht një tubim – është amanet. Amaneti i shokëve tanë, i gjakut të derdhur, i lirisë që s’ka çmim.”

Në përmbyllje, Hektor Beqiri u bëri thirrje qytetarëve që të mos e shuajnë zërin dhe të qëndrojnë të bashkuar:
“Të bashkuar jemi forcë. Të bashkuar jemi popull. Të bashkuar jemi zëri që nuk mundet askush me e hesht.”

Reagimi i tij po shpërndahet gjerësisht në rrjetet sociale dhe pritet të ketë ndikim në mobilizimin e qytetarëve për protestat e ardhshme në mbështetje të të akuzuarve në Hagë.