Gjashtë vjet pas paraburgosjes në Hagë të katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veprimtari dhe përfaqësuesi i organizatës “Liria ka Emër” për Diasporën, Hektor Beqiri, ka reaguar përmes një postimi, duke shprehur mbështetjen e tij të palëkundur për ish-krerët e UÇK-së dhe duke e cilësuar procesin gjyqësor si të padrejtë dhe të ngarkuar politikisht.

Beqiri ka rikujtuar se edhe më 4 dhe 5 nëntor të vitit 2020 kishte qenë i pranishëm në momentet kur, sipas tij, po ndodhte një padrejtësi ndaj krerëve të UÇK-së, të cilën ai e kishte kundërshtuar publikisht.

“Fola atëherë, nuk heshta asnjëherë dhe nuk do të hesht as sot”, ka shkruar Beqiri.

Sipas tij, gjashtë vite pas fillimit të këtij procesi, shqetësimet e shprehura që në ditët e para mbeten të pandryshuara.

“Ajo që ne e konsideronim një proces të padrejtë dhe të ngarkuar politikisht, vazhdon të jetë një plagë e hapur për ndërgjegjen tonë kolektive”, ka deklaruar ai.

Beqiri ka theksuar se kanë kaluar 2191 ditë që kur ish-krerët e UÇK-së po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, duke thënë se gjatë kësaj periudhe mbështetësit e tyre kanë vazhduar të kërkojnë drejtësi dhe të mbrojnë atë që e konsiderojnë të vërtetën për luftën çlirimtare të Kosovës.

Ai ka shprehur gjithashtu besimin se procesi i Apelit do të sjellë, sipas tij, një vlerësim të drejtë të çështjes.

“E vërteta është një dhe e vetme. Ajo mund të vonohet, mund të sfidohet dhe mund të përballet me pengesa, por nuk mund të zhduket”, ka shkruar Beqiri.

Në fund të reagimit të tij, përfaqësuesi i “Liria ka Emër” për Diasporën ka përcjellë mesazhin se angazhimi dhe solidariteti me ish-krerët e UÇK-së do të vazhdojë.

“Liria nuk mund të burgoset. E drejta nuk mund të mposhtet nga asnjë proces. Historia nuk mund të rishkruhet. Sakrifica e një populli nuk mund të njolloset”, ka theksuar Beqiri.

Ai e ka përmbyllur mesazhin me thirrjen: “Liri dhe drejtësi për çlirimtarët!”