Shorti i Copa America 2019 është hedhur mbrëmë në Rio De Janeiro, me Brazilin që njëherish është nikoqir i kompeticionit.

“Selecao” që i ka fituar të gjitha ndeshjet miqësore të zhvilluara që nga eliminimi prej Kampionatit Botëror të vitit të kaluar, ka pasur fat me shortin teksa në grupin A do të përballen me Bolivinë, Venezuelën dhe Perunë.

Ndërkohë, Argjentina ka pasur më pak fat, derisa do të ballafaqohet me Kolumbinë, Paraguain dhe Katarin.

Grupet plotësohen me Uruguain, Ekuadorin, Japoninë dhe kampionët në fuqi, Kilin.

Për fazën me eliminim direkt do të kualifikohen dy kombëtaret e para të secilit grup, gjithashtu dhe dy kombëtaret më të mira që e përfundojnë grupin në vendet e treta.

Vendi organizues, Brazili do të synojë lavdinë në këtë kompeticion për herë të parë që nga viti 2007, kurse Argjentina nuk ka triumfuar prej vitit të largët 1993, gjatë kësaj periudhe duke humbur plot 4 herë në finale.

Uruguai e ka fituar më së shumti Copa American (15 herë), ndërsa vlen të përmendet se Japonia dhe Katari janë kombëtare që bëjnë pjesë në këtë edicion pas ftesave speciale që kanë pranuar nga Konfederata e futbollit amerikano-jugor.

Copa America starton me 14 qershor me ndeshjen Brazil-Bolivi.

Në vazhdim grupet e plota:

Grupi A:
Brazili
Bolivia
Venezuela
Peru

Grupi B:
Argjentina
Kolumbia
Paraguai
Katari

Grupi C:
Uruguai
Ekuadori
Japonia
Kili