Hedhet poshtë ankesa e Vetëvendosjes për votimin nga Diaspora

Paneli për Ankesa dhe Parashtresa ka hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, për mënyrën e votimit nga personat e regjistruar jashtë Kosovës.

PZAP thotë se kundër vendimit të tyre nuk lejohet ankesa, shkruan Reporteri.net.

Lëvizja Vetëvendosje para dy ditësh kishte dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ankesën mbi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në lidhje verifikimin e aplikacioneve për votim të mërgatës.

Edhe pse në video shihen përfaqësuesit e VV-së duke votuar për vendimin i cili thotë se nëse votuesit nga diaspora thirren në telefon dhe nuk lajmërohen, nuk do të lejohen të votojnë, Vetëvendosje përmes një kumtese thotë se përfaqësuesit e saj për asnjë moment nuk kanë votuar që të verifikohen të gjitha aplikimet e bashkatdhetarëve dhe aq më pak që ato të anulohen përmes një thirrjeje të vetme nga KQZ-ja.