Podujevë

Haziri: Veliu dekoroi qytetin me “mustaqet” e vitit të kaluar, pagoi më shtrenjtë se vjet

Shefi i asambleistëve të Vetëvendosjes në Komunën e Podujevës, Fitim Haziri, ka akuzuar kryetarin e kësaj komune, Agim Veliun, se dekoroi qytetin me dekore të vitit të kaluar, e për të cilat, sipas tij, pagoi mbi 2 mijë euro më shumë se sa në vitin e kaluar.

E ka akuzuar për kurdisje tenderi. Haziri i ka quajtur “mustaqe” dekorimet e Komunës së Podujevës, e ka thënë se ato as që është dashur të bëheshin fare.

Koha Ditore ka dërguar pyetje më parë në adresë të Komunës së Podujevës për t’u informuar më gjerësisht rreth procesit të dekorimit të qytetit, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë deklaratën e Fitim Hazirit:

Veliu dekoron me mustaqet e njëjta qytetin e Podujevës

Mustaqet në pamje të parë mund të duken të njëjta për të gjithë, por çdokush mund të ketë arsye të ndryshme për t’i rritur ato. Njëra ndër arsyet mundë të jetë nderimi i figurave historike apo deklarim mode, gjë e cila në ditët e sotme është bërë modë për t’u dukur ndryshe.

Edhe qyteti jonë ashtu si i pari i komunës është krejt ndryshe nga qytetet e tjera, sepse feston me të njëjtat mustaqe edhe ketë fundvit. Ndoshta tani me mustaqe pakë më të rritura. Mustaqe që kanë kushtuar 9.945 euro për dallim nga viti paraprak kur të njëjtat mustaqe kanë kushtuar 7.600 euro nga i njëjti klient i cili është i pari i komunës dhe i njëjti “berber” e që e ka emrin “Anea”.

Qytetarë të nderuar të Llapit, bëhet fjalë për dekorimin e qytetit të Podujevës për festat e fundvitit, dekorim i cili është bërë me dizajn të njëjtë e me çmim të ndryshëm nga viti paraprak nga e njëjta kompani. Këtu ka vend për dyshim në marrëveshje dhe kurdisje të tenderit në mes të kryetarit të komunës dhe kompanisë Anea.

Meqenëse është përdoruar i njëjti dizajn dhe tenderin e ka fituar e njëjta kompani që e ka fituar edhe në vitin 2017, është e mundur të jetë përdorur i njëjti dekorim edhe për këtë vit dhe kompania të mos ketë shpenzuar në blerjen e dekorimit të ri dhe me këto para të ketë bërë pazare me zyrtarët komunalë. Kryetari Veliu është dashur ta ndjek si shembull të parin e Hanit të Elezit, Rufki Sumen, që paratë e dedikuar për dekorim të qytetit t’ua shpërndajë familjeve në nevojë.