Kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, thotë se në garën për të parin e LDK-së e mbështet një marrëveshje politike brenda partiake e cila do të ruante demokracinë e brendshme të partisë, dhe do t’i jepte mundësi LDK-së që të ruante unitetin.
Në një intervistë për Gazetën Express, Haziri ka thënë se për mënyrën e votimit nuk do të jetë problem, pasi që LDK-ja në disa raste e ka provuar edhe votimin e fshehtë.
Ndër të tjera nënkryetari i LDK-së thotë që pas zgjedhjeve të brendshme në parti, do t’ia tregojnë vendin edhe koalicionit PDK-AAK-NISMA.
“Tash Lipjani, Ferizaj, Vushtrria dhe Prishtina III janë katër degët e fundit që e mbyllin procesin, dhe japin mundësinë që kryetari i partisë në konsultim me kryesinë ta thërras Kuvendin, sa më shpejtë që është e mundur. Pritet që me ndodh gjatë korrikut e gjithë mbyllja e procesit. Pjesa tjetër është procedurale. Unë e mbështes një angazhim për marrëveshje politike, që na e ruan demokracinë e brendshme, e ruan deri në fund demokracinë e brendshme, por që i jep mundësi ndërtimit të unitetit politik dhe përfaqësimit sa më të mirë të LDK’së, sepse ne rival i kemi PAN-in, dhe nuk e kemi dikë brenda neve. Rivalitetin e kemi përtej LDK’së, jo brenda LDK-së. Ajo që zhvillohet nesër garë e LDK-së në nivel degësh dhe qendror, është vetëm rrugë për me u zgjedh njëri prej nesh, i cili renditet i pari, ndërsa tjerët mbesin i dyti i treti. Nuk është kjo logjikë përjashtimi, është logjikë e afrimit të njerëzve. Kështu që gjithçka që ndodh është çështje procedurale. Por votimi, cfarëdo që vendos Kuvendi, qoftë me votë të msheft, që LDK-ja e ka provu gjithmonë. Ne jemi partia e parë që e kemi vendos standardin e votës së msheftë në vitin 2006, karshi Fatmir Sejdiut dhe Nexhat Dacit, dhe në pjesën e fundit ai Kuvend është mbyllë me pasoja fatkeqësisht, në pjesën e fundit. Dhe Isa Mustafa kundër Fatmir Sejdiut është mbyllë me sukses të plotë. Janë shtri duart, dhe janë mbajt fjalët. Sepse demokracia ka vendos. Dhe në rastin e tretë sido që vendoset, LDK-ja me rëndësi është që me dalë unike dhe e bashkuar, dhe me iu tregu që nuk i zen shtatori këta janë në qeverisje tash”, ka thënë Haziri.







