Haziri nga karantina: Pa Agimin nuk ka koalicion

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri ka reaguar pas shkarkimit të Agim Veliut nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme

Haziri ka deklaruar se janë konsultuar me kreun e LDK’së, Isa Mustafën duke paralajmëruar edhe tërheqjen e kësaj partie nga koalicioni.

“Pas reagimit të kryetarit Isa Mustafa dhe konsultimeve me të, një gjë e di që pa Agimin, s’ka me pasë qeveri me LDK’në”, ka deklaruar Haziri.

Gjatë ditës, kryeministri Albin Kurti e shkarkoi ministrin e Brendshëm, Agim Veliu, pasi që sipas tij, deklarata e tij e mbrëmshme ka shkaktuar frikë te qytetarët sa i përket shtimit të numrit të të prekurve me koronavirus.

Veliu kishte dalë kundër kryeministrit Kurti, i cili nuk e pranoi propozimin e presidentit Hashim Thaçi për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.