Nënkryetari i LDK-së

Haziri: Nesër i jap 17 fshatra të Leposaviqit e Zubin Potokut për Preshevën, Bujanovcin e Medvegjën, nuk ka marrëveshje sekrete

Ka qenë një prej njerëzve të parë që ka dhënë idenë që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës. Lutfi Haziri, nënkryetari i LDK-së, në një intervistë për Reporterin, i pyetur se ‘nëse do të ishte kryeministër a do të nënshkruante shkëmbimin e territoreve’, ka thënë se do të jepte qysh nesër 17 fshatra të Leposaviqit dhe Zubin Potokut në këmbim të Medvegjes, Preshevës dhe Bujanovcit.

Por ka thënë se në asnjë mënyrë pjesën tjetër të veriut.

“Asnjëherë. Unë kurrë nuk kam thanë që veriu nuk duhet me qenë Kosovë. 17 fshatra të komunës se Leposaviqit, Zubin Potokut për Preshevë, Bujanovcin, Medvegjen nesër i jap. 17 fshatra janë. 17 fshatra janë pru në Kosovë në vitet e pasluftës së dytë botërore dhe janë marrë komplet vargmalet e Karadakut dhe vendbanimet shqiptare të Preshevës dhe Bujanovcit, Medvegjes. Janë bartë ne rrethin e Vrajës. Në asnjë mënyrë me veriun. Veriu është edhe term edhe territor i madh. Veriu dhe lindja e Kosovës janë të pandryshueshme sepse ne jemi lindje ata janë veri, janë të pandryshueshme. Fshatrat në Leposaviq, Zubin Potok janë etnike serbe, nuk ka asnjë shqiptarë. Kanë qenë me një kohë në organizim territorial me Serbinë. Ai është korrigjim i kufirit demarkim, korrigjim teknik i kufirit, bile nuk quhet as ndryshim i kufirit në kuptimin e një pajtimi eventual”, ka deklaruar Haziri.