Haziri: Mund të befasoheni kur LDK’ja ta propozojë kandidatin për kryeministër

Kryetari i Gjilanit dhe njëkohësisht nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në emisionin DPT te Fidani , ka thënë se brenda partisë së tij ende nuk është biseduar për kandidatin për kryeministër. Madje Haziri ka thënë se mund të befasoheni kur të del emri i propozuar.

“Nuk është biseduar për kandidatin për kryeministër. Ende nuk është përmendur asnjë emër, as emri i Agim Veliut si nënkryetari i parë, as emri i Kujtim Shalës, e as i askujt tjetër”, është shprehur Haziri.

Tutje, ai tha se secili duhet ta pres kohën e tij.

“LDK nuk e pranon punën e imponimit. Secili duhet ta pres kohën e vet”, ka thënë Haziri.

Në fund, Haziri tha se mund të befasoheni me emrin e propozuar nga LDK’ja për kryeministër.

“Në LDK nuk imponohet emri për kryeministër. Madje mund të befasoheni kur të del emri nga LDK’ja”, shtoi Haziri.