Haziri: LDK s’ka ultimatume ndaj Vetëvendosjes

Nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka qetësuar partnerin e koalicionit se nuk do të ketë ultimatume nga partia e tij.

Haziri në RTV Dukagjini ka thënë se LDK nuk ka ultimatume ndaj Vetëvendosjes sa i përket taksës dhe reciprocitetit.

“Është bërë një hap i madh drejt largimit të taksës… Besoj se koha do ta dëshmojë se taksa nuk ka qenë e rëndësishme për t’i dhënë këtë vëmendje”, tha ai.

Nënkryetari i LDK-së thotë se me Vetëvendosjen kjo parti ka hyrë në koalicion për katër e më shumë vite dhe jo për të shkëputur koalicione.

“Roli i LDK-së është për të forcuar stabilitetin e jo për ta minuar atë stabilitet që ekziston. Besoj shumë qe vet fakti që Kryeministri ka dalë në publik dhe ka paralajmëruar largimin e tarifës është hap i madh politik”.

Haziri thotë se në bazë të vlerësimeve importimi i lëndës së parë nga Serbia nga prodhuesit kosovarë shkon në 65 milion euro në vit.

“Askush nuk e ka thënë prej dy vitesh që prodhuesit kosovarë janë të varur nga lënda e parë që vjen nga Serbia”, deklaroi ndër të tjera Lutfi Haziri.