Nënkryetari i LDK-së

Haziri: LDK ka përvojë të qeverisjes së mirë, s’kemi probleme të brendshme

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se LDK-ja ka përvojë të qeverisjes së mirë, derisa ka theksuar se nuk kanë probleme të brendshme.

“LDK-ja telashe të brendshme nuk ka por jemi në ballë të qeverisjes. Qeverisja është ajo që duhet me e përkthyer programin edhe angazhimet politike në veprim. Opozita e ka komoditetin të kritikojë”, ka thënë Haziri.

Ai ka thënë se partitë në koalicion duhet të respektojnë marrëveshjen deri në fund.

“Ne kemi përvoja të qeverisjes të mirë dhe qeverisjes me probleme, telashe. Ajo që unë besoj thellë është se edhe Aleanca edhe Nisma, edhe Lista Serbe edhe partitë e grupeve të tjera të përfaqësuara në Qeveri për momentin kanë ndërtuar një formulë qeverisje duhet ta respektojnë deri në fund bashkë në mënyrë që me e përballuar këtë gjendjen pandemike sepse ka rënie ekonomike”, ka thënë ai. “Nuk e lidhi asnjëherë këto vendime të rëndësishme siç është Rimëkëmbja Ekonomike që njerëzit po e presin me padurim, ne kemi hyrë në dimër, nëse vazhdojmë t’i vonojmë edhe një javë, dy javë mundësinë që me ndërhy qeveria me pako atëherë po e humb arsyen me u miratuar kjo pako”.

Sipas tij duhet të reflektojë politikisht edhe opozita, me i dhanë të drejtat e veta nëse i kanë.

“Sepse LDK-ja sa herë që ka qenë në opozitë ka votuar ligje dhe vendime të rëndësishme në Kuvend duke e vendosur interesin e republikës përpara partisë. Nëse është interes i përbashkët dhe duhet me e përballuar bashkërisht këtë problem Rimëkëmbja Ekonomike nuk i dallon mandej grupet sepse i prek barabartë qytetarët andaj duhet sjellë të gjithë barabartë karshi kësaj me racionalitet. Në anën tjetër Qeveria duhet të punojë me çdo deputetë, të Vetëvendosjes e të PDK-së”, ka thënë Haziri.