Kryetari i Gjilanit

Haziri: Lajm i mirë që Zyra e BE-së ka konfirmuar financimin e AZHR-ve

Kryetari i Komunës së Gjilanit Haziri e ka quajtur lajm të mirë që Zyra e BE-së në Kosovë ka konfirmuar përmes një letre financimin në formatin 50 për qind të Agjencisë për Zhvillim Rajonal-Lindje, por me kusht që themeluesit të vazhdojnë financimin e rregullt sipas vendimeve të Kuvendit.

Ai këto komente i bëri në Kuvendin e dytë të punës së Agjencisë për Zhvillim Rajonal – Lindje, ku morën pjesë përfaqësues të këtij agjencioni dhe kryetarët e 11 komunave të regjionit.

“Po punojmë në stabilizimin e plotë të gjendjes së AZHR’së në mënyrë që të funksionalizohet. Është organ i përbashkët me projekte dhe programe zhvillimore dhe sidomos me Komisionin Evropian e programet tjera financiare, do të na ndihmonte shumë në zhvillimin e projekteve”, tha Haziri.

Në këtë takim, u miratua procesverbali nga mbledhja e fundit, raporti i aktiviteteve, ndërkaq me unanimitet është zgjedhur drejtor i AZHR-Lindje, Agim Zeka, pas dorëheqjes së Valbona Tahirit, e cila është emëruar drejtoreshë për Zhvillim Ekonomik në Gjilan.

Kryetari i zgjedhur i Agjencionit për Zhvillim Rajonal – Lindje, Agim Zeka, ka paraqitur raportin përmbledhës të aktiviteteve të AZHR Lindje dhe rrjetit të ARDA të realizuar gjatë periudhës 1 shtator 2015 deri 23 korrik 2018.