Nënkryetari i LDK-së

Haziri: Kurti mori obligime për Asociacionin, pastaj u mundua 6-7 muaj që t’ia lë prushin në dorë presidentes e kryekuvendarit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri thotë se kryeministri Albin Kurti për rreth gjysmë viti “u mundua t’ia lë prushin në dorë presidentes, kryekuvendarit, dikujt”, që sipas tij, do ta çonte draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese.

Haziri tha të hënën në Frontal në T7 se draft-statuti i Asociacionit nuk është ‘non paper’, siç e quajti Kurti javën e kaluar, kur refuzoi kushtin e kryeqendrave europiane për ta dërguar atë në Kushtetuese, në mënyrë që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Europës këtë muaj.

“Marrëveshja është e keqe. Ai marrëveshjen e ka bë të keqe vitin e kaluar. Draft-statuti është pjellë e marrëveshjes së tij. Nuk mundet me u quejt ‘non paper’ një dokumenti që ai i ka thënë po. Ai draft-dokumentit në Bruksel i ka thënë po”, tha Haziri.

“Ka marrë obgilime. Ai në Gjykatën Kushtetuese mundet me e dërgu vetëm nëse e miraton në Qeveri. U mundua 6-7 muaj t’ia lë prushin në dorë presidentes, kryekuvendarit, dikujt, me gjetë dikë me e çu e me ua lënë gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese në dorë. Por kjo pjesë e marrëveshjes së tij është dekret qeveritar”, tha ai.

Megjithëse e refuzoi dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Kushtetuese si kusht për anëtarësim në KiE, Kurti thotë se shpreson ende që Komiteti i Ministrave që mblidhet nesër dhe pasnesër do të vendosë përfundimisht që ta pranojë vendin në KiE.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, konfirmoi të martën se kjo çështje është lënë jashtë agjendës së takimit.

“Megjithëse ka mbështetje për vendosjen e anëtarësimit të Kosovës në agjendën e Ministerialit të 17 majit, qendrimi i disa vendeve që Kosova duhet ta pranojë draft statutin e Miroslav Lajcak për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe ta dërgojë atë në Gjykatë Kushtetuese, në një mënyrë që është e pranueshme për Gjykatën, bëri që pika e Kosovës të mos vendoset sot në agjendën e ministrave të jashtëm”, shkroi Ahmeti mbrëmë në Facebook.