Lutfi Haziri

Haziri: Kurti është i papunë si kryeministër, fjala luftë është përmendur 47 herë për një javë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për nxitje të polarizimeve dhe për keq menaxhim me pushtetin.

Ai është pyetur se përse Kurti dëshiron zgjedhje teksa është përgjigjur se qeveria e tij është e papunë.

“Është krijuar një disponim i gjerë për zgjedhjet, debati është nxitur për ta larguar vëmendjen nga Këshilli i Evropës. Qeveria e Kurtit është e papunë politikisht, kjo qeveri nuk ka punë. Teknikisht planifikim ditor ka, sot për nesër. Agjenda politike e Kurtit është hargjuar. Sepse janë mbyllur dyert për mundësitë që qeveria t’i jap vendit oksigjen zhvillimor”, ka thënë Haziri.

Ai ka thënë se në momentin që një qeveri nis të flasë për numra dhe shifra, i bie se shteti është duke u menaxhuar sot për nesër. Ka shtuar se aq është e papunë sa që ka nisur ta përmendë fjalën luftë.

“Ata përdorin shifra, numra, fakte, krejt është mirëmbajtje, është parim i administrimit të vendit për sot dhe nesër. Për shtatë ditë është përmendur fjala luftë 47 herë”, ka thënë Haziri.

“Lufta është mjeti i fundit i politikës. Kurti në paqe flet për luftë, jo vetëm këtu, por ju flet edhe popujve që kanë traditë luftërat. Ju tregon britanikëve dhe rusëve se si bëhet lufta”, ka shtuar ai.

“Është i papunë. Nuk ofron qeveria asgjë. Në të gjitha raportet pasqyrohet negativiteti”. /ATV