Haziri: Koronavirusi parandalohet vetëm me disiplinë strikte

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri në takimin e mbajtur sot me emergjencat civile është deklaruar rreth gjendjes së shkaktuar nga koronavirusi për të cilën thotë se mund të parandalohet vetëm me disiplinë strikte dhe me masa mbrojtëse.

Në këtë takim ku është konfirmuar se gjendja e pacientëve në Gjilan është stabile, Haziri tutje ka thënë se mostrat e marra deri më tani në kontaktet e të infektuarve të fundit, kanë mbyllur qarkun e mundshëm të infeksionit.

“Me ekipin e gjerë të profesionistëve të fushave të ndryshme sot kemi konfirmimin që është një gjendje e qetë në këto ditët e fundit. Mostrat e marra deri tani në kontaktet e të infektuarve të fundit, kanë mbyllur qarkun e mundshëm të infeksionit. Presim që gjendja të jetë vazhdimisht në përmirësim dhe deri tani kemi 49 raste të shëruara plotësisht, 32 raste janë në vetizolim nën mbykëqyrjen e rregullt të emergjencave civile dhe ekipeve mjekësore, por fatkeqësisht kemi dy raste të vdekjes në këtë përballje prej 69 ditëshe”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri në adresimin para mediave.Kryetari Haziri ka apeluar se masat mbrojtëse të pandemisë duhet të respektohen strikt, sepse mund të rrezikohet kthimi i infeksionit dhe burimit të pestë, i cili do të jetë i dhimbshëm pastaj dhe i papranueshëm.

Përndryshe, sot është marrë një numër i madh i mostrave, për të cilën është konfirmuar nga Qendra Rajonale e Shëndetit Publik, për rezultatet e të cilave qytetarët e Gjilanit do të njoftohet me kohë.