Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka njoftuar se shtatë shtëpi në Gjilan, konkretisht 32 raste aktive me COVID-19, janë akoma në karantinë.

Ai në një konferencën për media, ka kërkuar nga të prekurit që të vazhdojnë t’i përmbahen rregullave të karantinës, duke mos rrezikuar të dalin deri në konfirmimin për rezultate negative pas testit .

“Kërkoj që të mos lejojnë thyerjen e rregullave të pandemisë. Çdo dalje nga burimi i katër i infeksionit Gjilanit i shkakton problem sistemore sepse ne kemi qenë para mbylljes së inseksionit disa herë. Thyerja e rregullave ka shkaktuar valën e re të të prekurve”, ka thënë Haziri.

Haziri tha se në tri ditët e fundit janë testuar mbi 100 qytetarë të Gjilanit, të cilët rezultuan negativ me Covid-19, duke shtuar se nga sot fillon testimi i futbollistëve për shkak të përgatitijeve për rifillimin e Superligës së Kosovës.

“Pjesa më e madhe e lojtarëve të SC Gjilani kanë rezultuar në test negativ, por do t’i nënshtrohet edhe pjesa tjetër e klubit, sikurse që do të testohen edhe lojëtarët e FC Drita. Lojëtari që doli pozitiv i FC Drita jeton në Tetovë dhe s’ka pasur kontakte me klubin e as komunën tonë”, ka njoftuar Haziri.

Në fund, Haziri ka kërkuar që të suspendohen masat e kufizimit të qarkullimit të njerëzve.