Haziri: Blinken në Ukrainë, Donfried në Ballkan, nuk është e rastësishme

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri sheh një konfirmim të agjendës së dialogut në vizitën e delegacionit amerikan me në krye Ndihmës Sekretaren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried të hënën në Prishtinë.

“Dje është konfirmuar agjenda e dialogut. Qeveria duhet të ecë përpara”, tha Haiziri. “Të gjitha partitë politike janë pro-europiane, të gjithë opozitën e ka pro-europiane në Kuvend”, shtoi ai.

Përgjegjësi i LDK-së për dialogun me Serbinë tha se nuk është e rastësishme që vizita e Ndihmës Sekretares në Kosovë u zhvillua në të njëjtën ditë kur Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ndodhej në Ukrainë, shkruan Express.

“Shpresoj shumë që vizita e zyrtarëve të lartë të SHBA-së që ka ndodh dje… sepse Nidhmës Sekretarja e Shtetit ka ardhë të njëjtën ditë kur Sekretari i Shtetit ka shku në Ukrainë. Kjo nuk është e rastësishme. Sekretari i Shtetit e ka vizitu Ukrainën që është në luftë me Rusinë, ndihmësja e tij kryesore ka ardhë në Ballkan për me dëshmu që Ballkani është i mbrojtur”, tha ai për DTV.

“Nuk duhet ta humbim këtë momentum sepse Serbia është shumë më e dobët tash, sepse Rusia është në luftë”, tha Haziri, i cili megjithatë u shpreh se “nuk po duket e besueshme” që Qeveria e Kosovës do ta zgjidhë problemin me Serbinë.

Dialogu me Serbinë, sipas Hazirit “ka degraduar”, ndonëse ai thotë se “nuk ka ndryshuar agjenda dhe formati”.

Ai sheh një ambient të ri politik në kontinent, i cili sipas tij është shumë i favorshëm për Kosovën.

“Është krijuar një ambient i ri edhe në Spanjë, edhe në shtetet e BE-së që s’e njohin Kosovën për shkak të agresionit rus në Ukrainë, ka fillu me u thy tabutë dhe ai përceptim që ka qenë ndaj Kosovës dhe ajo formula se Serbia e Kosova duhet të dakordohen për një marrëveshje para se me i njoftë ne. Është momentum, një ambient i ri, shumë i ri, shumë i favorshëm dhe për herë të parë ne në kurriz të një lufte mundemi me qenë përfitues të vegjël në procese politike”, tha ai.

Haziri theksoi se kjo nënkupton, ndër tjerash “zgjidhjen e problemit me Serbinë”.