Hazir Borovci i LDK-së për koalicionin me VV-në: Rugova i ofronte të gjithë për të mirën e Kosovës

VV-ja dhe LDK-ja janë “kapur” për poste dhe assesi të heqin dorë, çka po pamundëson arritjen e marrëveshjes mes tyre për formimin e qeverisë së re.

Ndërsa më parë posti i presidentit ishte pengesë për arritjen e marrëveshjes, tash është bërë pozita e kryekuvendarit “mollë sherri” mes tyre dy partive.

LDK po e do kryekuvendarin, por VV po thotë se kjo është punë e kryer dhe nuk e shkarkojnë Glauk Konjufcën, por në këmbim siç meson Reporteri.net i ka dhënë partisë së Mustafës, Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Lidhur me mosarritjen e marrëveshjes VV-LDK, Gazeta Online “Reporteri.net” ka kontaktuar me anëtarin e Kryesisë së LDK-së, Hazir Borovci.

Ai ka thënë se partia e tij është duke e bërë më të mirën e mundshme që të arrijnë marrëveshjen me VV-në, çka beson se kjo do të ndodhë.

“Janë në biseda, në këto rrethana dhe faza duhet me respektuar hierarkinë. E kemi Kryesinë, organet tona, janë duke u mundu me bo më të mirën e mundshme. Besoj që ka me pas marrëveshje, jam për me pas marrëveshje që vërtet i çon proceset përpara, jo për marrëveshje, për një muaj apo dy muaj, por për qeveri të qëndrueshme, për qeveri për shtetin. Duhet me i harruar disa gjëra kur bëhen koalicione, të mirat për shtetin janë të përbashkëta. Kosova ka nevojë më shumë se kurrë që të mos shikohen gjërat veç nga prizmi i një partie, për shkak se rendi, ligji, respektimi i së drejtës, zhvillimi ekonomik, mirëqenia sociale janë përtej partisë”, ka deklaruar Borovci për Reporteri.net.

Ai ka thënë se duhet bashkëpunuar edhe me partitë opozitare, ndërsa ka kujtuar se presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova i ofronte të gjithë afër për të mirën e vendit.

“Edhe subjektet opozitare duhet me i ofruar me bashkëpunuar për me i dërguar proceset përpara. Duhet me qenë bashkëpunues, racional, me u ulë bashkërisht, dhe të bisedohet se çka mund të bëjmë për Kosovën. Presidenti i ndjerë, Ibrahim Rrugova i ofronte të gjithë afër, edhe kur i kishte 47 %, kur mund ta formonte vet qeverinë, ishte gati me dhënë kryeministrin për të mirën e Kosovës.
‘Arma’ e fortë e Rugovës ka qenë se i ka ofruar të gjithë afër vetës. Kosova nuk fiton nëse dikush lihet anash, këtë rast duhet me pas parasysh votën si ka votuar qytetari në zgjedhjet e fundit. Subjektet kanë nevojë me bashkëpunuar me njëra-tjetrën, sa më shumë të ndodh kjo është më mirë për Kosovën”, ka deklaruar Borovci.