Hazard tregon arsyen pse nuk i pëlqente të luajë për Belgjikën në Kampionatin Botëror

Eden Hazard ka rrëfyer arsyen pse nuk i pëlqente të luajë për Belgjikën në Kampionatin Botëror të vitit të kaluar.

32-vjeçari ishte kapiten e përfaqësueses së tij në Katar, përkundër se kishte regjistruar vetëm gjashtë paraqitje për Real Madridin para turneut.

Ndërsa së fundmi ka pranuar në një intervistë për HLN (transmeton The Sun) pse nuk e kishte shijuar lojën, pasi besonte se gjenerata e re e futbollistëve të Belgjikës meritonin më shumë të luanin.

“Të rinjtë po trokisnin në derën e ekipit kombëtar. Duke mos luajtur te Reali, pastaj duke iu bashkuar Djajve të Kuq (nofka e Belgjikës) dhe duke luajtur futboll. Nuk më pëlqeu ajo, sidomos për faktin se gjenerata e re meriton të luajë”, është shprehur Hazard.

Ndryshe, pas eliminimit të papritur të Belgjikës që në fazën grupore, mesfushori ofensiv u pensionua nga përfaqësuesja. /Telegrafi/