Haxhiu: VV-ja nuk shkon te Kadri Veseli, vendit i duhen zgjedhjet e parakohshme

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka komentuar rreth ftesës së Kadri Veselit, i cili ka ftuar krerët e opozitës të enjtën për harmonizim të rezolutës për dialogun.

Sipas Haxhiut, pozita nuk mundet të dërgon tutje proceset pa përkrahjen e opozitës.

“Siç duket koalicioni aktual e ka kuptuar që nuk mund të funksionojnë pa opozitën e sidomos duke e neglizhuar dhe injoruar opozitën. Nga seancat e Kuvendit, që i thirrnin me kryeneqësi dhe mundoheshin të tregonin arrogancën e numrave në Kuvend, tashmë është e qartë që kanë mbetur pakicë dhe tani seancat mundohen t’i zëvendësojnë me tryeza boshe dhe që janë humbje kohe dhe shpërqendrim vëmendje. Ne dje e kemi pranuar ftesën dhe më duhet të them që vendi nuk ka nevojë për tryeza të tilla, por për legjitmitet të ri, pra për zgjedhje të reja. Ato janë të domosdoshme”, ka thënë Haxhiu për ballkani.info.

Ajo më tej ka komentuar protestën e fundit (29 shtatorit), të cilën e vlerëson njërën nga protestat më të mëdha.

Gjithashtu, Haxhiu pa dashur të theksoi ndonjë datë, tregon rreth organizimit të protestes së radhës, të cilën e kishte paralajmëruar lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti më 29 shtator.

“Protesta e 29 shtatorit ishte protesta më e madhe e organizuar deri më tani. Qytetarët i dërguan mesazh të qartë Hashim Thaçit që nuk guxon të bëj pazare me territorin dhe sovranitetin e vendit. Ne jemi duke diskutuar për organizime e protesta të radhës, sepse aktualisht Kuvendi nuk duket vendi dhe mundësia për t’i adresuar e shprehur shqetesimet e qëndrimet, prandaj janë të pashmangshme. Do të ishte shumë mirë nëse do të kishte bashkëorganizim opozitar, për këtë jemi të hapur dhe po angazhohemi”, ka shtuar Haxhiu.

Ndërsa, gjatë ditës së djeshme kryeministri Ramush Haradinaj kishte kërkuar që rezoluta e opozitës të votohet në Kuvend. Dhe, në lidhje me këtë deputetja Haxhiu e quan Haradinajn si një kryeministës të ndikuar nga protesta e 29 shtatorit.

“Nuk e di se për çfarë e ka pasur fjalën kryeministri Haradinaj, mirëpo edhe ai e ka kuptuar që as ne por as qytetarët nuk do të pranojnë pazare me territorin dhe sovranitetin. Pra, qytetarët përmes protestës së 29 shtatorit përveç që i kanë treguar Hashim Thaçit se kush e ka mandatin e sovranit, poashtu i kanë treguar Haradinajt si ndalet Thaçi, prandaj tani çfarëdo deklarimi për rezolutën e proceduar kohë më parë nga opozita, është i ndikuar nga protesta madhështore e 29 shtatorit”, ka thënë në fund Haxhiu. /Ballkani.info/