Haxhiu takon ambasadoren holandeze, flitet edhe rreth institutit për krimet e luftës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Ambasadoren e Holandës, Carin Lobbezoo, ku u fol edhe mbi themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Haxhiu e falënderoi ambasadoren për ndihmën ndaj Kosovës dhe e njoftoi rreth prioriteteve të Ministrisë së Drejtësisë, ku u diskutua më shumë rreth secilës prej tyre.

“Procesi i vettingut u cilësua si një ndër hapat më të rëndësishëm në reformimin e sistemit të drejtësisë, ndërsa ambasadorja u zotua për të ofruar ndihmë në ekspertizë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë.

“Gjithashtu në këtë takim u adresua edhe nevoja për veprime institucionale kundrejt dhunës në familje. Një reformim i thellë në drejtësi do nënkuptonte që të trajtohen edhe çështjet e dhunës në familje me një seriozitet të shtuar, qasje kjo që do të zvogëlonte këtë fenomen shqetësues në shoqërinë tonë. Për këtë u shpreh bindje e plotë që duhet të ketë seriozitet nga policia, prokurorët e deri tek gjyqtarët për ta fuqizuar ligjin dhe zbatimin e tij”.

Sa i përket Rishikimit Funksional, Haxhiu ka njoftuar se do të takohen me dy Këshillet, Gjyqësor dhe Prokurorial, si dhe me Akademinë e Drejtësisë në mënyrë që t’i sigurojnë se pajtohen me ndryshimet eventuale pas marrjes së komenteve.

“Ambasadorja u  njoftua më shumë edhe rreth votimit të draft-konceptit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme”.

“Vëmendje e veçantë në këtë takim iu kushtua temës së themelimit të Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, si nevojë e domosdoshme që Republika e Kosovës ta ketë një institucion të tillë ku adresohen krimet e kryera gjatë luftës së fundit, ndonëse kanë kaluar më shumë se dy dekada prej përfundimit të saj”.

“Në këtë takim Ministrja po ashtu theksoi se me qëllim të fuqizimit të bashkëpunimit adresoi nevojën e nisjen së negociatave për lidhjen e marrëveshjeve  për Ndihmë Juridike të Ndërsjellët ne Çështje Penale, për Ekstradim dhe atë për Zbatimin e Ndërsjellë të Aktgjykimeve në Çështjet Penale si dhe nevojën për anëtarësimin e Kosovës në Konventën e Hagës”.