Pas zhurmës që bëri presidentja e Kosovës dje në konferencë për media për gjyqtarin Radomir Laban, në këtë mes hyri edhe ministrja në detyrë e Dretjësisë dhe kandidatja e dështuar për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu. Ajo e përmendi edhe ish-presidentin Hashim Thaçi.

Vjosa Osmani e akuzoi Radomir Laban për rrezik ndaj sigurisë kombëtare, teksa njoftoi se po e tërheq kërkesën e saj në Gjykatën Kushtetuese meqë Laban ishte caktuar gjyqtar i rastit.

Për këtë rast, tash edhe Albulena Haxhiu u përfshi me ca thumba për ish-presidentin Thaçi, për të cilin tha se nuk i ka marrë parasysh kërkesat e saj për të mos e emëruar serbin në Kushtetuese.

“Kur në vitin 2018, ish-Presidenti Thaçi kishte injoruar thirrjet tona për të mos e dekretuar Radomir Llabanin si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të së kaluarës së tij kriminale dhe duke pasur parasysh që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese shkarkohen nga Presidenti por paraprakisht me propozimin e 2/3 të gjyqtarëve të kësaj gjykate dhe jo nga ndonjë organ tjetër, ne i kishim drejtuar një kërkesë zyrtare ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, duke kërkuar fillimin e procedurave për shkarkimin e tij”, shkroi Haxhiu.

Vetëvendosja e përkrahu dje vendimin e Osmanit për ta sulmuar Kushtetuesen përmes akuzave për Radomir Laban, pikërisht në kohën kur Kosova është në krizë të thellë politike pa institucione legjitime të dala nga zgjedhjet e fundit.