Haxhiu për ligjin për konfiskimin e pasurisë: Do të përdorët si gogol ndaj bizneseve dhe mediave

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka folur për projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, projekt ky i Ministrisë së Drejtësisë.

Ai ka thënë se ky ligj do të përdorët si gogol ndaj disa biznesve dhe pronarëve të mediave.

“Pasojat e këtij ligji do t’i vuajnë qytetarët e Kosovës, sidomos ata të diasporës që kanë punuar atje dhe kanë krijuar pasuri jashtë vendit.  Do të pësojnë ata që jashtë kanë punuar edhe të shtunën edhe të dielën”, ka thënë Haxhiu.

Megjithatë, ai i ka bërë ftesë publike organeve të shtetit dhe qeverisë që t’i arrestojnë të gjithë politikanët që janë tash ose ata që kanë qenë në politikë më herët dhe që kanë krijuar pasuri në mënyrë të paligjshme, raporton Ballkani.info.

“Unë s’kam asnjë aferë korruptive dhe në Kuvend jam që dhjetë vjet. I ftoj organet që çdo qytetari që ka qenë në politikë t’i verifikohet pasuria, por kjo duhet të jetë në suaza të ligjit dhe e vërteta të del siç është”, ka shtuar tutje ai.

Duke komentuar rastin e fundit me mediat, ku është kërkuar hetim pas publikimit të dokumenteve lidhur me mosnënshkrimin e kontratës më kompaninë e prodhimit të vaksinave, Pfizer, Haxhiu ka thënë se “nuk është kapje e shtetit tash, çka keni më pa në ditët dhe në muajt në vijim”.

“Shpresoj të gabohem, por kështu po duket se do të jetë”, ka thënë Haxhiu në RTK.