Haxhiu për Hotin: Po e bosnjëzon Kosovën

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se kryeministri Avdullah Hoti duhet të largohet sa më parë nga ky post, ngase po vë në dyshim shtetësinë e Kosovës.

Sipas saj Hoti është duke e injoruar aktgjykimin e Kushtetueses për asociacionin e komunave me shumicë serbe, në të cilin ajo thotë se shkelen 23 nene me atë marrëveshje.

“Avdullah Hoti po e injoron tërësisht aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e komunave me shumicë serbe apo Zajdenicën siç e përkufizon realisht interesin e Serbisë.

Zajdenica nuk ka arritur të jetësohet që 7 vite për shkak të rezistencës qytetare dhe opozitare.

Prandaj, Hoti duhet ta ketë të qartë që sado zellit të tij për t’i ofruar koncesione Serbisë, nuk mund të ketë Zajednicë dhe nuk do të lejohet bosnjëzimi i Kosovës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.