Haxhiu komenton arrestimin e dy ish zyrtarëve të Telekomit

Katër persona janë arrestuar sot nën dyshimet për keqpërdorime në Telekom, në mesin e tyre dy ish zyrtarë të Telekomit.

Aksioni i Drejtorisë së Krimeve Ekonomike në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është komentuar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Çfarëdo veprimi i policisë dhe prokurorisë me qëllim të zbardhjes së veprimeve të dyshimta korruptive në ndërmarrjet publike por jo vetëm, është i mirëseardhur. Secili dyshim për kontratë të dëmshme duhet të adresohet dhe përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë”, shkruan Haxhiu në Facebook.

“Kosova duhet të ndërmarrë veprime konkrete e serioze në luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit. Vetëm kështu zhvillohet e përparohet vendi.

Ne do të jemi në mbështetje të kërkesave të institucioneve të drejtësisë në fuqizimin e kapaciteteve të tyre”, u shpreh ajo.