Ministrja e Drejtësisë
Haxhiu i përgjigjet Ramës: KFOR-i s’ka nevojë të marrë nën kontroll veriun
Duke iu përgjigjur kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që tha se kontrollin në veri duhet ta ketë KFOR-i, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se s’është e nevojshme të ndodhë kjo pas sipas saj, nevojiten vetëm patrullime të përbashkëta.
Haxhiu ka shkruar në Facebook të enjten se Policia e Kosovës dhe KFOR-i duhet të patrullojnë përgjatë kufirit me Serbinë pasi “prej andej vjen armatimi, municioni dhe mercenarët që duan luftë”.
Deklaratën e Ramës për KFOR-in, ministrja Haxhiu e quajti kërkesë “të stërvjetëruar të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.
“Kosova është Republikë e pavarur dhe sovrane. Mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë ka përfunduar më 10 shtator 2012. Në veri të Kosovës, terroristët dhe kriminelët nga Serbia vranë rreshterin e Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku në pritë në ora 3 pasmesnate të dielën që shkoi. Gjatë luftimeve të mëpastajme, ata nuk kishin kurrfarë shansi me Policinë e Kosovës. Së paku tre terroristë u vranë, kurse të tjerët ose janë arrestuar (gjashtë sosh) ose janë në ndjekje (sepse janë në ikje). Nuk ka nevojë që KFOR-i ta marrë nën kontroll veriun e Kosovës”, ka thënë ajo.
Duke falënderuar Shqipërinë për mbështetje e solidaritet, Haxhiu ka shtuar tutje se Kosova e NATO-ja janë partnere strategjike dhe i shërbejnë sigurisë së demokracive.
Rama e arsyetoi deklarimin e tij të enjten para mediave duke thënë se çdo hezitim dhe vonesë “mund ta bëjë ndërhyrjen e nesërme të KFOR-it, shumë më të madhe në trupa dhe me shumë vështirësi”.