Haxhiu i përgjigjet Mustafës: S’jemi për asnjërën “Zajednicë”

Ish-ministrja e Drejtësisë dhe anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, i është kundërpërgjigjur kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pasi ky i fundit u shpreh se VV-ja është pro Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas marrëveshjes së nënshkruar nga ish-kryeministri Hashim Thaçi.

Në kundërpërgjigjen e saj, Haxhiu ka thënë se VV-ja “s’është as për ‘Zajednicën’ e Thaçit, e as për atë të Mustafës”.

“‘Zajednica’ është edhe synim edhe kërkesë e Serbisë, të cilën kjo klasë politike ja ka mundësuar si synim dhe normalizuar si kërkesë, herë nëpërmjet të ashtuquajturve ‘normalizim i marrëdhënieve’ e herë si ‘normalizim ekonomik’. Aktgjykimi i GJK-së praktikisht hedh poshtë idenë e një ‘Zajednice’ çfarë kanë nënshkruar Thaçi në prill 2013 dhe Mustafa në vitin 2015. Parimisht e prakitikisht mund të thuhet se nuk mund të ketë edhe Republikë edhe Zajednicë. Isa Mustafa që paska reaguar me shumë vrer duke tentuar ta justifikojë vetën se ai i përket ‘Zajednicës’ së 2015-ës ka harruar se edhe atë të 2013-ës e ka mbështetur. Sikurse në shumë pika Mustafa e Thaçi janë vetëm dallim kohor”, ka thënë Haxhiu.

“Në anën tjetër, Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka kundërshtuar e i kundërshton ashpër të dyja. Ne nuk jemi për Zajdenicën e Thaçit sikurse nuk jemi as për atë të Mustafës, sepse ato janë të dyja ‘Zajednicë’ e Serbisë, për të cilën ju kemi paralajmëruar me kohë dhe kundërshtuar fuqishëm. E dimë tash që jeni në sikletin e përpjekjes së tretë, por jeni pa legjitimitet, pa ligjshmëri. Ju mund t’i zotoheni Vuçiqit, po ato zotime vlejnë vetëm për ju. Sovraniteti dhe unitariteti i Kosovës nuk mund të ndryshohen. Kosova është Republikë”, ka përfunduar ish-ministrja e Drejtësisë