Haxhiu i kundërpërgjigjet Armend Mujës, thotë se tërheqja e parave nga Trusti nuk shkakton ngritje të çmimeve

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se narracioni që me tërheqjen e parave nga Trusti do të shkaktohej inflacion i çmimeve është i gabuar.

Ai ka akuzuar së pari Mujën që ka thënë gabimet faktet në fjalimin e tij pse nuk duhet të tërhiqen paratë nga Trusti në Komisionin për Buxhet dhe Transfere.

“Fatkeqësia e qytetarëve dhe e këtij vendi është se zotëri Muja është aksidentalisht në postin e kryetarit të komisionit, bazuar në mashtrimin e 14 shkurtit. Brenda një fjalie ka 3 gabime. Një analizë të lehtë të ja bëjmë. Thotë se deputetët do të vjedhin Trustin. Ato para nuk do t’i marrin ato para, por qytetarët që ta përballojnë krizën. E dyta tha se po shkatërrohet Trusti. Fondi pensional është ndër institucionet më kredibile në Kosovë dhe më fleksibile. Në pyetjen që ja bëra sot, i thashë se a keni propozuar ju reformë të sistemit pensional”, ka thënë ai.

Haxhiu ka shtuar se Kosova nuk do të prekej nga inflacioni pasi që nuk ka para të bollshme në Kosovë dhe se Kosova ka mungesë monetare.

“Dhe mashtrimi i katërt, që nëse futen më shumë në treg do të shkaktohet inflacion i çmimeve. Tërësisht e pavërtetë. Nuk ka para të bollshme në Kosovë. Ka mungesë monetare. Këto një njeri i tillë që të tërheq komisionin e Kuvendit, e mos ta dijë A-në dhe B-në e ekonomisë është gjynah”, përfundoi ai.