Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, gjatë ditës së sotme përmes një deklarata është shprehur e shqetësuar për vonesën e emërimit të anëtarëve të Komisionit Zgjedhor të Kosovës (KQZ).
Kërkesa e Ambasadës në drejtim të Presidentit Thaçi, është që menjëherë t’i emërojë përfaqësuesit në KQZ, për t’ia kthyer këtij institucioni aftësinë për të punuar në mënyrë të besueshme dhe të pavarur për të mirën e popullit të Kosovës, transmeton Ballkani.info.
E vonesën për emërimin e anëtarëve të këtij institucioni e ka kritikuar edhe deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetvendosje, Albulena Haxhiu.
Në një prononcim për Ballkani.info, Haxhiu e ka cilësuar kërkesën e Ambasadës amerikanë në Prishtinë si reagim të drejtë.
“Reagimi i Ambasadës është i drejtë. Është e paprecedent kjo çfarë ka bërë Thaçi, madje është për keqardhje se si për interesa të ulëta e pazare, e mban të bllokuar KQZ-në tash e mbi një vit. Ne kemi pasur reagime të shumta, përfshirë edhe aksione kundër këtij veprimi të rrezikshëm të Thaçit. Dekretimi i anëtarëve të KQZ-së, duhet të bëhet sa më parë dhe atë në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Haxhiu.
Kujtojmë se pas reagimit të Ambasadës amerikane, Zyra e Presidentit ka njoftuar se anëtarët e rinj të KQZ-së, do të betohen para Presidentit Thaçi të enjten. /Ballkani.info







