Deputetët e VV-së, Albulena Haxhiu e Liburn Aliu, në Rubikon të KTV-së kanë shprehur dyshimin se LDK-ja dëshiron bashkëpunim me VV-në.

Duke folur për mosarritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje, ata kanë thënë se interesi për të bërë koalicion shprehet me veprime e se tash ka dyshim se LDK-ja s’dëshiron bashkëpunim, pasi ka refuzuar propozimet e VV-së.

Sipas Haxhiut, besimi mes dy subjekteve politike ndërtohet gradualisht. Ajo ka thënë se kryetari i VV-së Albin Kurti nuk do të japë poste ambasadorësh apo terminale doganore për të bërë dikë president.

“Besimi ndërtohet gradualisht. Ta zëmë nëse ne brenda një viti do të fillonim me punët që na presin, me reformat, kështu ndërtohet besimi nëse sot është i luhatur apo s’ka besim. Ishim të bindur se do të merrnim më shumë se 61 deputetë e do të na duheshin pak vota shtesë. Ishte fryma ashtu. Andaj pati kuptim, sot kur ne si VV kemi 29 deputetë e LDK-ja ka 28, një kryeministër si Albin Kurti për t’u bërë dikush president as nuk jep terminale as s’bën ambasador. Ka ndodhur në të kaluarën. Si u bë Thaçi president?” ka thënë ajo.

“Interesi për të bërë koalicion shprehet me veprime…” ka deklaruar më tej Haxhiu, teksa Aliu ka shtuar se “Gjithmonë me kohën e kam një dyshim (në interesin e LDK-së për bashkëpunim)”.