Haxhiu: Do të luftojmë deri në fund për të zbardhur rastin e Astrit Deharit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se ata do e çojnë deri në fund zbardhjen e rastit të Astrit Deharit. Thotë se familja e Deharit, nuk janë të qetë me mënyrën e zhvillimit të hetimeve. Thekson se duhet të merren në pyetje të gjithë, përfshirë stafin, të burgosurit e të tjerë nga Qendra e Paraburgimit në Prizren.

“Ne do të luftojmë deri në fund për të zbardhur rastin e Deharit sepse dëshmitari kryesor ka vdekur pas një kohe të shkurtër, Naser Makolli. Të gjitha ato që kanë ndodhur pas këtij rasti, çojnë në përfundimin se ka qenë vrasje dhe jo vetëvrasje”, tha Haxhiu në emisionin DPT te Fidani në T7.

“Aktualisht përgjegjëse për adresimin e këtij rasti është Prokuroria Speciale”, thekson ajo.

“Astrit Dehari është marrë në paraburgim pa asnjë provë, aso kohe ka pasur përpjekje që Vetëvendosjen me shpallë organizatë terroriste. Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën ta lidhin me një organizatë fantome siç ishte Syri i Popullit”, shtoi ajo.

“Ka pasur javën e kaluar sërish përplasje ndërmjet nesh dhe Prokurorisë Speciale. Unë jam jashtëzakonisht e zhgënjyer me mënyrën se si Prokuroria Speciale e ka lëshuar një komunikatë për media, ku i përmend vetëm dy nga konkluzionet në raportin plotësues të raportit zviceran. Nuk u morën me konkluzionin e pestë që mendoj se ka qenë konkluzioni kryesor”, tha Haxhiu.

“Astrit Dehari ka qenë në duar të shtetit, duke pasur parasysh që ka qenë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, që është në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ne nuk kemi mundur që të mos reagojmë në raport me tendencën e Prokurorisë për të keq-lexuar duket që qëllimshëm një raport shtesë të institutit zviceran. Aty thuhet se e vetmja provë që mund të zbardhë të vërtetën është trupi i Astrit Deharit mirëpo thotë që s’është përdorur fare”, theksoi ministrja.

A do të ketë zhvarrim?

“Unë nuk mund të flas për këtë sepse për këtë duhet të flasin familja. Për mua duhet të mbahen përgjegjës ata që kanë pamundësuar që të merren provat të cilat mund të dëshmojnë vrasjen e Astrit Deharit”, tha Haxhiu.