Haxhiu: BE e ka kushtëzuar liberalizimin me arritjen e marrëveshjes me Serbinë

Analisti Baton Haxhiu thotë se Bashkimi Evropian po e përdor liberalizimin e vizave si mjet për t’i bërë presion Kosovës.

Në emisionin “Shock” në “Euronews Albania”, Haxhiu e konsideroi të turpshme udhërrëfyesin e ri për Kosovën dhe theksoi se mund t’i shtohen kushtet për këtë proces.

“Bashkimi Evropian, deri më tani nuk i ka ofruar asgjë Kosovës, vetëm i ka kërkuar. Kosova kryesisht i ka plotësuar të gjitha. Ata nuk mund t’i bëjnë presion qeverisë ndryshe, përveç me heqjen e vizave, me lëvizjen e lirë”, tha ai.

“Ky është një turp i rradhës për Bashkimin Evropian dhe kushteve të reja me një udhërrëfyes. Po flasim për një udhërrëfyes të ri që ka kushte, kjo është vetëm për lëvizjen e lirë”, u shpreh analisti.

Haxhiu tha se lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës, kushtëzohet edhe nga arritja e marrëveshjeve me Serbinë.

Më herët gjatë ditës së sotme, komisioneri i BE për Zgjerim, Oliver Varhelyi deklaroi se duhet një udhërrëfyes shtesë për liberalizimin e vizave në Kosovë.

Gjatë fjalës në Parlamentin Europian, diplomati theksoi se Kosova është në pritje të liberalizimit të vizave dhe se duhet ecur përpara me këtë çështje.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor ku qytetarët nuk gëzojnë liberalizim vizash me vendet e BE-së.