Haxhiu: As vetë Kurti nuk e konsideron veten luftëtar të UÇK-së

Deputeti i PDK-së dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë në emisionin dPT në T7 se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk mund të konsiderohet si luftëtar i UÇK-së.

Haxhiu ka thënë se kontributi i Kurtit në zyrën e Adem Demaçit nuk mund të mohohet, por se luftëtar sipas tij konsiderohet ai që ka luftuar me pushkë në dorë.

“Po besoj që vetë Albini nuk e konsideron veten luftëtar. Mund ta konsideroj veten pjesë të zyrës së Adem Demacit, zyrës politike. Por ai vetë e ka deklaruar nëpër intervista se asnjëherë nuk ka dashur të kapë pushkën dhe ka qenë pjesë e zyrës së Demaçit. Me pranu statusin e veteranit është e rregulluar me ligje dhe veteran konsiderohet ai që me pushkë në dorë ka marrë pjesë në luftë”, ka thënë ai.

“Krejt e dijmë se ka qenë pjesë e zyrës së Demacit s’di pse po insiston në këtë pjesën tjetër. Ai ka qenë pjesë e asaj zyre dhe ata njerëz që kanë kontribuar në zyrë sa i përket luftës. Gjithë populli ka qenë në përkrahje të luftës. Ka qenë mobilizim i përgjithshëm. Mirëpo statusin e veteranit e ka marrë ai që me pushkë në dorë ka qenë në luftë. Fjala bashkëluftëtar e ka kuptimin se ke luftuar me dikë në vijë të frontit. Mund t’i thuash bashkëluftëtarë ai që të ka dhënë nj gotë ujë. Të ka ndihmuar. Veteran në kuadër të zyrës së Demaçit nuk ia ka mohuar askush. Por veteran luftëtar jo. As ai veten nuk e konsideron”, shtoi ai.