Agnesa Haxhiu, hulumtuese nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se vetëm gjatë vitit 2018 janë 2950 mungesa që kanë bërë deputetet e Kuvendit të Kosovës në seanca dhe komisione parlamentare.
“Në llogaritjen e mungesave nuk e kemi përjashtuar as bojkotin që u patë bërë nga opozita dhe partitë të cilat prijnë me mungesa janë LDK-ja dhe Vetëvendosja. Janë 1671 mungesa në seanca dhe 1279 mungesa në komisionet parlamentare, ku si pasojë e tyre pengohet zhvillimi i mirëfilltë i punës edhe në Kuvend edhe në komisione”, ka thënë ajo në Express Intervistën e ditës në KTV.
Haxhiu tutje ka shtuar se puna e Kuvendit të Kosovës gjatë vitit 2018 është përcjellë me shkelje të rregullores gjatë votimit të projektligjeve.
“Ka pas shkelje të Rregullores së Kuvendit gjatë kohës sa janë votuar projektligjet. Shumë herë janë votuar amendamentet në grup dhe kjo është në kundërshtim me ligjin. Ka pas raste kur është amandamentuar një projektligj direkt në Kuvend, në lexim të dytë, siç është rasti i Ligjit për Shoqëri Tregtare. Amandamentimet duhet të shkojnë nëpër komisione të përhershme, e pastaj të sillen për votim në Kuvend”.
“Ka qenë edhe praktika e shqyrtimit të projektligjeve me procedurë të përshpejtuar dhe edhe kjo është në kundërshtim, sepse kur nuk kalon në afatet kohore ka probleme në implementim të tij. Çka ka ndodhë në vitin 2018 është organizimi jo i mirëfilltë i punës, këtu hyn edhe caktimi i orarit të njëjtë të komisioneve kur është planifikuar të mbahet seanca e pastaj kanë dështuar të dyja”, tha ajo.
Sipas saj, është jo transparencë nga ana e Kuvendit mospublikimi i raporteve të shpenzimeve nga udhëtimet e deputetëve, ku nga to janë shpenzuar 240 mijë euro të Buxhetit të Kosovës.
“Kuvendi gjatë vitit 2018 ka shënuar regres në raportin e shpenzimeve. Janë 300 udhëtime që janë realizuar nga deputetet për periudhën 9 -mujore, ku i kanë kushtuar 240 mijë euro Buxhetit të shtetit ndërsa numri më i madh i vizitave është zhvilluar në Shqipëri dhe Maqedoni”, ka deklaruar ajo.







