Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur sot në takim miqësor, Robin Haxhi Krasniqin, kampionin e botës në boks. Z. Lladrovci i ka dhënë mirënjohje dhe medaljon të punuar nga gratë e QMDG, më pastaj së bashku kanë vendosur lule pranë shtatoreve të heronjve në Sheshin “Fehmi Lladrovci”.

Në rrjetin social, z. Lladrovci ka shkruar se “jemi krenar me përkushtimin tuaj miku im, Robin Haxhi Krasniqi, me promovimin e shpirtit garues dhe sportit si dhe promovimin e shtetit dhe vlerave tona!”

Në fotografitë e postuara nga Lladrovci, shihet se Haxhi Krasniqi e ka lënë edhe një shënim në librin e përshtypjeve në Komunë e Drenasit, shkruan Ballkani.info.

Ajo që bie në sy në këtë shënim është fakti se Haxhi Krasniqi shkuan shqip në mënyrë shumë korrekte, pa asnjë gabim drejtshkrimor. Kjo tregon që lidhjet e tij me Kosovën nuk janë vetëm për marketing, por vërtetë ai është i lidhur ngushtë me atdheun e tij.

Të kujtojmë se ka shumë politikanë në Kosovë që mbajnë pozita të lartë shtetërore që bëjnë gabime elementare drejtshkrimore.

Ja çfarë ka shkruar Krasniqi për Ramiz Lladrovicin:

“Me këtë shënim, shpreh nderimin dhe konsideratën për Kryetarin më të suksesshëm në Republikën e Kosovës, për mikun tim i cili çdo herë ishte pran nesh, në çdo situatë, Ramiz Lladrovcin. Po, forca e bën fuqinë”, ka shkruar në fund ai.

Krasniqi po qëndron në Kosovë pas fitimit të dy titujve botërorë në boks, duke u bërë kështu shqiptari i parë në histori që e arrin këtë sukses. /Ballkani.info/