Havolli: Në të gjitha institucionet ka abuzim me paranë publike

Ka shënuar rritje numri i rasteve të korrupsionit dhe keqpërdorimit të parasë publike në institucionet publike, qoftë në ato qendrore apo lokale.

Në Agjencinë Kundër Korrupsion(AKK) ka pasur shumë aktivitetet të shqyrtimit të rasteve për korrupsion si në fushën e hetimit dhe në atë të parandalimit të korrupsionit.

Kështu ka thënë drejtori i kësaj agjencie, Shaip Havolli në një intervistë për KP, i cili pohon se në të gjitha institucionet publike ka abuzim me paranë publike, por varësisht prej kompetencave dhe mandatit në AKK po punohet për parandalim të korrupsionit.

Vetëm gjatë vitit që lamë pas, Agjencia Kundër Korrupsion ka dërguar në prokuroritë përkatëse mbi 60 lëndë për kallëzime penale për korrupsion.

Havolli thotë se gjatë vitit paraprak kanë pranuar një numër të madh të informatave që lidhen kryesisht me keqpërdorim të detyrës zyrtare, menaxhim jo të mirë të financave publike, çështje që lidhen me prokurimin publik dhe çështje që kanë të bëjnë me konflikt interesi.

Sipas tij, edhe një numër i madh i lëndëve janë ende nëpër gjykata për t’u shqyrtuar, për të cilat kërkon përshpejtim të zgjidhjes së tyre.

Havolli nuk ka treguar sa i përket pozitave kyçe të zyrtarëve që dyshohen për korrupsion, por tha se do të bëhen publik në raportin vjetor.Sipas Havollit, një numër i madh i rasteve korruptive janë duke u trajtuar edhe në Universitetin e Prishtinës për abuzim të parasë publike ose keqmenaxhim të parasë publike.

Edhe ka deklarata nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian se Kosova i ka plotësuar kushtet në aspektin e luftimit të korrupsionit, Havolli ka theksuar se ende ka punë sa i përket luftës kundër korrupsionit.

Ndër të tjera Havolli ka thënë se prokurimi publik elektronik ka mundësua rritjen e transparencës, por sipas tij, nuk do të thotë që është parandaluar korrupsioni në tërësi në këtë fushë.

Janë dërguar edhe lëndë në gjykata të ndryshme për shkelje ligjit të prokurimit publik nga zyrtarë në institucione publike.

Kjo Agjenci ka monitoruar mbi 147 aktivitete të prokurimit publik, ku janë dhënë mbi 100 opinione për shkelje të procedurave të prokurimit publik.

Ndërsa, 78 raste janë trajtuar për konflikt interesit, prej tyre 29 raste janë shmangur konfliktit të interesit.Po ashtu, në disa sektor ka mjaft zyrtarë të cilët mbajnë më shumë se një detyrë, 6 deri 7 pozita.