Haskuka: Kur të lavdëron Kadri Veseli, mendohu se çfarë ke bërë keq

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Hakuka, është përplasur me kryetarin e degës së PDK’së në Prizren, Shaqir Totajn, lidhur me problemet e mëdha që Totaj ia ka lënë klubit basketbollistik të qytetit.

E në këtë përplasje është përfshirë edhe kreu i PDK’së, Kadri Veseli. Haskuka thotë se ka marrë kritika për punën që po e bën në Prizren, megjithatë sipas kryetari të Prizrenit më mirë që nuk është lavdëruar, sepse në momentin që të lavdëron Veseli duhet ditur që ke bërë diçka keq.

“Kadri Veseli më paska kritiku, mirë që më paska kritiku, se me bo me më lavdëru kisha mendu çka paskam bo keq?”, ka shkruar Haskuka në profilin e tij, raporton Gazeta Express.

Kreu i Prizrenit thotë se është shumë e vështirë të punohet me institucione që mundohen të bllokojnë punën, megjithatë thotë se reagimet e qytetarëve janë ato që i ndihmojnë të vazhdojë përpara.

“Përndryshe përnjëmend është e lodhshme me u marr me institucione që të bllokojnë punën e mundohen me e ndal zhvillimin, por kur I sheh reagimet e qytetarëve kundër këtyre hajnave, të kalon lodhja e vazhdon përpjekjen.Faleminderit, bashkë do ta bëjmë, nuk bon ndryshe”, ka shtuar Haskuka.

Ditë më parë kreu i Prizrenit ka kritikuar ashpër Shaqir Totajn, për lënien e klubit të Bashkimit në borgje.

“Shaqir Totaj paska reaguar, po asgjë nuk paska thënë.

z.Totaj, këto pyetje kërkojnë përgjigje:

– Pse nuk ke paguar obligimet ndaj ATK-së?

– A nuk është keqpërdorim detyre me qenë drejtor i ATK-së, e mos me pagu obligimet me vite të tëra?

– Pse nuk i ke paguar obligimet ndaj Trustit Pensional?

– Kur erdhe në shkurt të vitit të kaluar me kërku mbështetjen për me vazhdu kampionatin, a i aporovuam 80,000.00 Euro?

– Ku shkuan këto fonde? Pse nuk ke pagu obligimet ndaj lojtarëve?

– Pse e la KB Bashkimin pa asnjë kontratë e pa lojtarë?

– A të kanë bojkotuar “Arpagjikt” dhe shikuesit?

– Pse kërkove që t’i ftojë tifozët në ndeshjen finale?

– Pse tash ATK-ja po ia bllokon xhirollogarinë e KB Bashkimit?

Ka edhe shumë pyetje, po ti përgjigju vetëm në një prej tyre nëse ke sado pak integritet”, ka shkruar Haskuka.