Hasimja kujton koncertin e Bregoviq në Tiranë: U befasova, 2-3 mijë shqiptarë kërcenin me këngën ‘Kallashnikov’

Gazetari i Klan Kosovës, Milot Hasimja, duke mos dashur të futet në debatin e ditëve të fundit në lidhje me ftesën ndaj Goran Bregoviqit në festën e birrës në Korçë, tregoi eksperiencën e tij rreth 15 vjetësh më parë, kur e kishte përcjellë koncertin e këtij këngëtari serb në kryeqytetin shqiptar.

“Në vitin 2006 unë kam qenë në Tiranë, e kam përcjellë koncertin e Goran Bregoviqit dhe për mua ka qenë diçka surprizuese, sidomos marr parasysh që më 2006 ishte ende kohë e shkurtër që kemi dal nga lufta ne në Kosovë”.

“Në momentin kur jam futur në Pallatin e Kongreseve, jam surprizuar se e kam gjetur sallën plot. Befasia tjetër ka qenë momenti i këngës “Kallashnikov” që po diskutohet nga secili, mendoj që duhet analizuar mirë se çka thotë ajo këngë, për ça është bërë dhe si është keqpërdorur ose përdorur në raste të caktuara në trevat tona, në Ballkan”.

“Në momentin kur ka filluar kënga, isha duke i parë këpucët e Bregoviqit, madje i kam përshkruar në artikull të asaj kohe se ishin me lëkurë gjarpri e ai me rroba të bardha, dhe e kom kthyer kokën e i kam parë rreth 2-3 mijë shqiptarë në kërcim e sipër”.

“Për mu ishte surprizuese, e për ta besoj se ka qenë diçka normale sepse ndoshta edhe vonë janë  njoftuar me muzikën e tij, e ndoshta vonë i kanë pranuar edhe këngët, sidomos këto jo shumë të mira, por më shumë turbo-folk e të tjera që i janë përshtatur ambientit edhe kohës”.

“Për atë kohë nuk është diskutuar shumë kjo sepse kanë ekzistuar vetëm pesë gazeta, s’ka pasur portale e nuk e ka pasur mundësinë secili prej popullatës të shprehet dhe të tregojë idetë e tyre, dhe normalisht që shpesh gjithë këto biseda ndonjëherë po kalojnë në gjuhë të urrejtjes prej të gjitha palëve dhe kur do të hiqet kjo nuk e di”, deklaroi Hasimja.