Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka arritur në Kosovë.
Plot pesë ditë pas vdekjes së babait, Gjykata Speciale ia ka lejuar ardhjen në Kosovë.
Nacionale ka mësuar se Hashim Thaçi është lejuar fillimisht që të bëjë homazhe te varri i babait në Burojë të Skënderajt.
Avokati i Thaçit, Luka Misetiq, kishte bërë të ditur se kërkesa është bërë ditën e hënë në orën 14:00.
“Z. Thaçi ka bërë kërkesë dje para orës 14:00 për të marrë pjesë në varrimin e sotëm. Zoti Thaçi nuk do të marrë pjesë në varrimin e sotëm. Nuk do të kem asnjë koment të mëtejshëm për momentin”, ka shkruar Misetiq.
Për këtë ka dalur me reagim edhe Gjykata Speciale, por pa dhënë shumë detaje.
Specialja ishte arsyetuar me çështje organizative.
“Për momentin, gjykata nuk është në gjendje të japë informacion për ndonjë kërkesë apo vendim konkret në lidhje me z. Thaçi. Kjo për shkak se kërkesat e një të paraburgosuri dhe vendimet për ato kërkesa fillimisht janë gjithmonë konfidenciale për arsye që përfshijnë privatësinë dhe sigurinë operacionale. Pas përfundimit të një vizite humanitare, gjykatësit zakonisht i riklasifikojnë këto dokumente në mënyrë që publiku të mund të informohet më detajisht. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ndërsa vizita të tilla, kur urdhërohen nga gjykatësit, organizohen sa më shpejt që të jetë e mundur, kjo mund të marrë ca kohë, duke kërkuar koordinim të ngushtë me një numër aktorësh dhe marrëveshje komplekse logjistike, duke përfshirë fluturimet dhe sigurinë”, thuhet në komunikatë







