Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot ka pritur kolonelin, Xhevdet Tahiraj i cili është Drejtor i Departamentit të Mjekësisë në kuadër të FSK-së.

Thaçi në një postim në Facebook shkroi për studentët e Kosovës që studiuan në Tiranë gjatë viteve të 90’ta, duke kontribuar në strehim për lufteratët e lirisë të cilët shkonin herë pas here në Shqipëri.

Respekt për të gjithë ata që i shërbejnë vendit tonë, shkroi ndër tjerash Hashim Thaçi, raporton Ballkani.info.

Postimi i plotë:

Sot, takova mikun tim, kolonelin Xhevdet Tahiraj, i cili aktualisht është Drejtor i Departamentit të Mjekësisë në kuadër të FSK-së. Xhevdeti, njësoj sikur shumë studentë të tjerë në vitet e 90-ta, ishte i detyruar të largohej nga Kosova, për t’i vazhduar studimet në Tiranë. Në atë kohë, qindra studentë nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare, në kushte të vështira dhe larg familjeve të tyre, me sukses përfunduan studimet në Shqipëri. Apartamentet e tyre të thjeshta, por edhe dhomat e vogla të konvikteve ishin gjithmonë të hapura për luftëtarët e lirisë. Për më tepër, këta studentë me krenari i veshën uniformat e ushtarëve të lirisë, duke lënë librat përkohësisht në një anë, deri në çlirimin e vendit tonë. Por, misioni në shërbim të atdheut nuk përfundon asnjëherë, për të gjithë ata që e duan Kosovën e zhvilluar. Këtë mision është duke e vazhduar përsëri Xhevdeti, së bashku me qindra e qindra djem dhe vajza, që shërbejnë me ose pa uniformë për Kosovën tonë të lirë, sovrane dhe të zhvilluar. Respekt për të gjithë ata që i shërbejnë vendit tonë! HTH