Hasani: Specialja nuk mund të vërtetojë ‘ndërmarrjen e përbashkët kriminale’

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka folur në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës në lidhje me procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë. Hasani është shprehur i bindur se Gjykata Speciale nuk do të mund të vërtetojë akuzën e quajtur “ndërmarrje e përbashkët kriminale” në këtë rast.

Ai ka shprehur dyshime se kjo aktakuzë mund të vërtetohet në gjykatë, duke theksuar se në “ndërmarrjen e përbashkët kriminale” nuk mund të dëshmosh qëllimin kriminal vetëm me faktin e një marrëdhënieje shoqërore të kaluar.

Në këtë kontekst, Hasani ka sjellë shembuj nga historia e tij dhe e të tjerëve që kanë qenë shokë në kohën e luftës, argumentuar se kjo nuk është e mjaftueshme për të dëshmuar ndërmarrjen e përbashkët kriminale.

“Unë besoj se dëshmitarët nuk po mbulohen për t’i ruajtur ata, por sepse pritjet e organit të akuzës nuk janë siç kanë besuar dhe unë besoj, në bazë të atyre që janë publike, që kurrë nuk do të mund ta vërtetojnë në asnjë formë atë që po quhet ndërmarrje e përbashkët kriminale, në asnjë asnjë prej tri formave nuk do të mund të dëshmohet kontinuiteti. Në “ndërmarrjen e përbashkët kriminale” nuk mund ta dëshmosh qëllimin kriminal me faktin që unë dhe ti kemi qenë shokë qe 30 vjet.” – ka thënë ai.