Hasani për vendimin e Kushtetueses: Duhej përsëritur votimi i qeverisë në Kuvend, jo të kërkohen zgjedhje të reja

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka komentuar vendimin e Kushtetueses që e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme. Një masë e tillë është e gabuar sipas tij.

“Është ngatërruar dallimi themelor që e dijnë të gjithë, mes shfuqizimit dhe anulimit të një vendimi, të një akti juridik”, thotë Enver Hasani.

“Aktgjykimi thotë kështu: Vota anulohet dhe për pasojë shkohet me automatizëm në zgjedhje. Kurse efekti i vendimit thotë prodhon për të ardhmen, s’ka pasë nevojë me thënë sepse edhe ligji është i qartë për Gjykatën Kushtetuese’, thekson Hasani në KlanKosova.

“Në qoftë se ti thua shfuqizohet, domethënë vendimi shfuqizohet, atëherë ti nuk ke të drejtë me ja marrë një drejtë tjetër përfaqësuesit të sovranit sepse që dy herë po ndodh, si në rastin Kurti si këtu, Gjykata po konsumon një votë të Kuvendit. Gjykata nuk mund të bëjë atë. Gjykata mund të shpallë jo kushtetues një akt juridik dhe të tregojë se cilat janë të metat që organi t’i përmirësojë”, shpjegoi Hasani.

“Përfaqësuesi i sovranit është dashur ta përmirësoj vendimin sepse kjo është detyrë e Gjykatës. Detyra e Gjykatës është me e rikthy çështjen që të votohet edhe një herë qeveria në Kuvend”, tha Hasani.