Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani në konferencën e përbashkët për shtyp me homologen gjermane Annalena Baerbock dhe Komisionerin Oliver Varhelyi tha se ky ishte ministeriali i fundit në serinë e tre ministerialeve që i paraprijnë Samitit në Tiranë.
“Këto takime janë ngjarje të rëndësishme që zhvillohen për herë të parë në një vend të rajonit tonë. Ato zhvillohen në një moment veçanërisht të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën. Situata aktuale gjeopolitike ka prodhuar shumë sfida që kërkojnë vëmendje e adresim”.
Ai theksoi se “krahas sfidave, kjo situatë ka prodhuar edhe një vullnet të ri politik”.
“Samiti dhe tri Ministerialet, mundësi për të diskutuar se çfarë forme mund të marrë ky angazhim. Çfarë forme mund të marrë mbështetja e BE për rajonin në kushtet aktuale”.
Hasani shtoi se “procesi i Berlinit mbështetet në 3 shtylla, që janë perspektiva evropiane, zgjidhja e mosmarrëveshjeve dhe përmirësimi i performancës ekonomike të rajonit”.
“Në tryezë janë disa propozime që do të përmirësojnë ndjeshëm zhvillimin ekonomik të rajonit. Propozimet janë plotësisht në linjë me Planin e Rritjes të propozuar nga Von Der Leyen. Duhet investuar për ngushtimin e hendekut në zhvillimin ekonomik që ekziston mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian”.
Kështu, sipas tij kjo “ndihmon në përgatitjen e ekonomive tona për integrim në tregun e përbashkët të BE”.
“Energjia dhe transporti janë dy sektorë kyç në agjendën e këtij viti të Procesit të Berlinit. Përtej këtyre dy fushave, kemi punuar për nisma konkrete edhe në sektorë të tjerë. Këto nisma na ndihmojnë të integrohemi në disa politika të tregut të përbashkët të BE”.
Qëllimi, sipas kryediplomatit shqiptar është “që rigjallërimi i procesit të integrimit të konkretizohet me masa që janë të prekshme nga qytetarët”.







