Hasani: Kosova nuk ka bërë sa duhet për çështjen e të pagjeturve

Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani ka thënë se Kosova nuk ka bërë aq sa duhet për çështjen e të pagjeturve të luftës së fundit në Kosovë.

Ai në emisionin “Frontal” ne T7 me Arsim Lanin, tha se çështja e të pagjeturve është një temë mjaft e rëndë.

“Është një temë mjaft e rëndë, e ndjeshme tek familjet dhe tek shteti në përgjithësi. Të gjithë ata që e kanë kapërcyer ose që kanë qenë pjesë e luftës janë viktima dhe janë kontribuues të shtetit të Kosovës. Si shtet nuk kemi bërë shumë me bë në këtë drejtim. Kanë qenë faza kur kishim mujt me ba diçka e ka pasur faza edhe kur nuk kemi mundur”, ka thënë ai.

Hasani tha se Serbia ka qenë vazhdimisht agresive në raportin politik ndaj Kosovës.

“Serbia ka qenë në vazhdimësi agresive në raportin politik ndaj Kosovës dhe shoqatat nuk kanë reaguar në formën e duhur. Kemi pasur një Këshill për të pagjeturit. Herë ka qenë aktiv e herë ka pushuar. Pas 2008 kemi mundur të bëjmë shumë në këtë drejtim”, ka thënë ai.

Sipas tij paqja në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm nëse zgjidhjet çështja e të pagjeturve

“Paqja arrihet kur viktimat tregohen se ku janë. Familjet e viktimave prezantohen, shkojnë tek varret e tyre dhe të paktën ngushëllohen me eshtrat e tyre”, tha ai. /Express/