Hasani e cilëson si problematike letrën e Kurtit për lirimin e Selimit: Është ndërhyrje e politikës në drejtësi

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani thotë se letra e Kurtit dërguar Speciales është problematike për shkak se Kurti ka qenë ish-kryeministër.

“Është problematike letra, pasi përçon një mesazh të keq, pra ndërhyrje e politikës në drejtësi. Për mua në çfarëdo cilësi që kam qenë do ta kisha marrë si presion letrën e Kurtit. Në parim nuk është se kjo letër ndihmon diçka”, tha ai në “Debat Plus”.

Hasani thotë se edhe Rugova kishte bërë një letër pak a shumë të ngjashme me një kërkesë për lirimin e Ramush Haradinajt në atë kohë, por sipas tij situata ka qenë e ndryshme.

“Në atë kohë pushtetet nuk kanë qenë të ndara në Kosovë. Pushtetet ishin në dorën e një njeriu, Soren Jesen Petersen”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese thotë se në rastin e letrës së  Kurtit, shteti i bie që involvohet në një proces gjyqësorë.

“Nëse do të ndodhte diçka, shteti do të duhej të mbante përgjegjësi ndërkombëtare”.

Hasani thotë se nuk ka rëndësi nëse Albin Kurti pranon ligjshmërinë e Gjykatës Speciale pasi sipas tij ajo është e themeluar me Kushtetutë dhe sipas tij tjerat nuk kanë rëndësi.